TEME DIPLOME EDUKIM - MARDHENIET NENE FEMIJE

MARRËDHËNIA NËNË - FËMIJË

Marsela TARELLI
Ç’është marrëdhënia nënë - fëmijë, apo thënë ndryshe atashimi?
Atashimi është formimi i lidhjeve emocionale të qëndrueshme midis nënës dhe fëmijës. Kjo lidhje emocionale fillon të zhvillohet që prej ditëve të para pas lindjes. Kulmin e arrin diku në moshën prej 18 deri 30 muajsh të jetës. Ai është një proces që ndodh me kalimin e kohës dhe që përfshin një marrëdhënie reciproke afeksioni midis tyre. Në periudhën 6-8 muajsh, kur foshnjat shohin një të panjohur hidhen në krahët e nënës dhe nuk ndahen prej saj. Në këtë periudhë ato përjetojnë atë që quhet ankthi apo frika nga i huaji. Në moshën 18 muajsh - 2 vjet ato përjetojnë ankth kur nëna nuk është aty. Shfaqja e këtij ankthi sugjeron se foshnjat kanë një të kuptuar të qartë të faktit se nëna
ekziston, edhe pse nuk është aty. Atashimi është një ndërveprim i bukur dhe harmonik i cili është pjesë e planit universal të All-llahut. Kjo lidhje mbjell farat e lidhjeve sociale dhe komunitare, lidhje të cilat janë shumë të rëndësishme në Islam.
 
Rëndësia  e  marrëdhënies nënë - fëmijë
  
Marrëdhënia sociale më e parë dhe më jetike, që përjeton njeriu në jetën e tij, është marrëdhënia nënë-fëmijë.
Për të përshkruar rëndësinë e atashimit, do të thoshim se është i një rëndësie jetike për fëmijën, sepse ai mund të ndikojë zhvillimin psikologjik dhe social të fëmijës. Kërkimet shkencore kanë treguar se fëmijët të cilët kanë qenë të lidhur ngushtë me nënën në foshnjëri, rriten duke qenë më kompetentë në disa shprehi sociale dhe njohëse: ata janë më kuriozë, bashkëpunojnë më shumë me të tjerët, janë më të aftë, më të prirë për të marrë vendime dhe për t’u vetëudhëhequr, më të pavarur se ata të cilët kanë patur një atashim të dobët. Ata, gjithashtu, janë të prirur të kërkohen për shoqëri nga të tjerët dhe zgjidhen për t’u bërë udhëheqës. Në shkollë, ata ndërveprojnë me mësuesit në mënyrë miqësore dhe të përshtatshme, dhe ka më shumë të ngjarë të jenë më të pavarur, duke u kërkuar ndihmë mësuesve vetëm atëherë kur duhet. Janë më të aftë për të zgjidhur problemin, janë më kureshtarë në moshën parashkollore, shprehin më shumë afinitet për lojërat simbolike, më shumë entuziazëm në lojë, kanë tendencë të reagojnë më shumë kur nëna afrohet dhe ngjiten pas saj, dhe gjithashtu, janë më pak agresivë. 
Përkundrazi, fëmijët të cilët kanë patur një atashim të dobët, janë më të prirur për të përjetuar më shumë vështirësi në këto fusha dhe këto pasoja mund të mbarten edhe në vitet që pasojnë. Është zbuluar se atashimi i dobët është një nga faktorët në ekuacionin që shpjegon problemet që shfaqen në adoleshencë, të tilla si: kriminaliteti, shtatzënia në adoleshencë, përdorimi i drogës dhe alkoolit dhe të tjera.  
Një zbulim tjetër i kërkimeve shkencore është se, marrëdhënia nënë-fëmijë dhe ndikimi reciprok kanë role kyç dhe përbëjnë parametrat më efektivë që ndikojnë procesin e rritjes së shpejtë dhe multidimensionale të fëmijës.
Marrëdhënia nënë-fëmijë, duke qenë se është marrëdhënia më e ngushtë, më intensive dhe më ndikuese, është e pashoqe. Nëna ka një ndikim përcaktues dhe jetëgjatë mbi karakteristikat  psiko-sociale të fëmijës gjatë procesit të edukimit. Forca, thellësia dhe vazhdimësia e atashimit do të mjaftonin për të shpjeguar ndikimin përcaktues të nënës. 
Rëndësia e madhe e atashimit të nënës me fëmijën shihet edhe në faktin se, faza më e efektshme edukative në transmetimin e kulturës tek brezi i ri, është periudha intensive e të mësuarit gjatë fëmijërisë, kur fëmija përjeton marrëdhënie fytyrë më fytyrë në atmosferën emocionale të familjes.
Ç’janë çrregullimet e atashimit?
Çrregullimet e atashimit i karakterizon mungesa apo devijimi i lidhjes që zhvillohet normalisht midis fëmijës dhe nënës. Ato vijnë si rezultat i kujdesit të pamjaftueshëm apo të pakënaqshëm në fëmijërinë e hershme. Vlen të theksohet se çrregullimet e atashimit ndikojnë negativisht në zhvillimin e ndjenjave të dashurisë tek fëmija ndaj të afërmve të tij. Nëse për rrethana të caktuara shkohet deri tek mungesa e lidhjes emocionale në moshë të hershme, kjo nuk i mundëson fëmijës që të krijojë një vetërespekt pozitiv apo vetëvlerësim, aftësinë sociale, si dhe ndjenjën e sigurisë tek tjetri. Disa psikologë, si Belsky dhe Braunghart, mendojnë se shkëputja e herëpashershme e fëmijës nga nëna në periudhën e foshnjërisë së hershme le pasojat e saj, të cilat ndikojnë në procesin e atashimit apo lidhjes me fëmijën.
Winicot (psikanalist anglez) në punimin vet ontologjik, “Preokupimi i parë i nënës”, dëshmon se çdo mungesë të kujdesit të nënës në periudhën e hershme fëmija e përjeton si rrezik për ekzistimin e vet. Winicot në literaturë solli termin “mbajtje” e fëmijës, si entitet i veçantë, i cili i përket gjithanshmërisë së kujdesit të nënës në moshën kur fëmija është në varësi fizike dhe psikologjike nga ajo. Winicot thekson se “mbajtja” si nocion përfshin mbajtjen fizike të fëmijës, të cilën e quan si formë e dashurisë. Ka nëna që mund ta mbajnë fëmijën dhe të tjera që nuk mund ta mbajnë. Këto të dytat, tek fëmija krijojnë ndjenjën e pasigurisë dhe qarjes së dhimbshme.
Pasojat e kujdesit ditor në çerdhe dhe kopshte mbi zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës
Një fenomen i cili po përhapet midis nënave të sotme, është dërgimi i foshnjave në çerdhe qysh në moshë të hershme, para trevjeçarit të parë të jetës. Le të shohim se çfarë thonë rezultatet e studimeve shkencore bashkëkohore për pasojat që le kjo praktikë mbi zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës.
Nga fundi i viteve 1970, psikologët filluan të vëzhgojnë atashimin e fëmijëve të cilët ishin lënë nën kujdesin ditor të çerdheve dhe kopshteve. Studimet paralajmërojnë për një probabilitet më të madh të një atashimi të dobët me nënat të foshnjave të cilat janë lënë nën kujdesin ditor para moshës 1 vjeç. Gjithashtu, ato nxjerrin në pah vonesa për sa i përket zhvillimit njohës tek fëmijët, e po ashtu edhe sjellje sociale të padëshirueshme. Madje disa psikologë filluan të mendonin nëse fëmijët duhet të vendoseshin nën kujdesin ditor apo jo.
Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Zhvillimin e Fëmijës (NICHD) në Amerikë ka studiuar kujdesin ditor për vite me radhë. Ja disa nga përfundimet e arritura nga ky institucion në vitin 2001:
- Foshnjat që ndahen nga nënat e tyre për më shumë se 10 orë në javë qysh në moshë të hershme, s’ka rëndësi nëse janë me dado në shtëpinë e tyre apo në qendra të kujdesit ditor, janë më agresivë sapo hyjnë në marrëdhënie me kopshtin. Ata klasifikohen kështu nga nënat dhe edukatoret e tyre.
- Ky segment në këtë studim që është ende në vazhdimësi, ka arritur në përfundimin se: një fëmijë nuk duhet të lihet në kujdesin ditor të më shumë se dy fëmijëve për një edukatore!
- NICHD ka raportuar më parë se gjysma e intervaleve kohore të kujdesit ditor janë kaq të varfra, saqë përbëjnë një rrezik për zhvillimin intelektual, emocional dhe fizik të foshnjës.
- Kërkimet mbi atashimin nënë-fëmijë tregojnë se bebet dëmtohen nëse largohen prej nënave të tyre për më tepër se 15 orë në javë. Bebet zhvillohen mjaft mirë kur nëna është gjithmonë e pranishme.
- Kërkimet e ditëve të sotme mbi trurin e fëmijës, të drejtuara nga Dr. Stanley Greenspan nga Universiteti Xhorxh Uashington, provojnë se: për të arritur një zhvillim optimal intelektual, fizik dhe emocional, foshnja ka nevojë vetëm për një person përkujdesës në tre vitet e parë të jetës. Më shumë përkujdesës nuk bëjnë dobi. Kjo madje është shumë e dëmshme për ndjenjën e sigurisë, aftësisë për të zhvilluar besim te të tjerët dhe zhvillimit intelektual të fëmijës.
- Mjaft nënave u pëlqen të thonë se fëmijët e tyre shkojnë në çerdhe për t’u socializuar. Por, socializmi i foshnjave vjen nga prindërit dhe jo nga bashkëmoshatarët e tyre. Penelope Leach shkruan se foshnjat e tjera NUK I DUHEN bebes tuaj në kujdesin ditor.
  
Ndikimi i kujdesit ditor të hershëm mbi atashimin me nënën
- Jay Belsky
Në artikullin “Rishqyrtim i Pasojave të Kujdesit Ditor”, shkruar nga një psikolog i zhvillimit të fëmijës në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë për periodikun “Early Childhood Research Quarterly”, raportohet se grupi i kërkimit të Belskit, grupi i Psikiatrit Dr. Peter Barglow nga Universiteti i Çikagos, dega Mjekësi, si dhe të tjerët, kanë treguar se: foshnjat nga 12-13 muajsh, të cilat i nënshtrohen kujdesit ditor për më tepër se 20 orë në javë prej dikujt tjetër veç nënës, janë në rrezik për vështirësi psikologjike dhe të sjelljes. (Belsky, 1988). Gjithashtu, në artikullin e tij, ai raporton se grupi i tij kërkimor dhe 3 grupet e tjera kanë ardhur në përfundim se: foshnjat të cilat i nënshtrohen kujdesit ditor janë më shumë të prirë të krijojnë një atashim të pasigurt me nënat e tyre kur testohen. Ky atashim i pasigurt shoqërohet me “agresivitet të ngritur, kundërshtim dhe tërheqje në vitet parashkollore dhe vitet e para të shkollës.” Nga kjo ai arriti në përfundimin se kujdesi ditor i zgjatur në vitin e parë të jetës është në vetvete një faktor i rrezikshëm psikologjik.
Dr. Eleonor Galenson, një psikiatre e njohur për fëmijë nga Nju Jorku, është shprehur se e konsideron të dëmshëm kujdesin e plotë ditor për fëmijët dhe se raporti i Belskit thjesht konfirmonte atë që ajo shihte çdo ditë në praktikën e saj – fëmijë, psikikat e të cilëve ishin dëmtuar pjesërisht për shkak të mungesës së vëmendjes së nënës. “Të lesh foshnjat me kohë të plotë në kujdesin ditor” - thotë ajo, “është një praktikë e rrezikshme.”
 
Kujdesi Ditor lidhet me sjellje agresive, kokëfortësi dhe kundërshtim

Këto zbulime janë marrë prej Studimit të Hershëm Ditor dhe Zhvillimit të Fëmijës nga Instituti Kombëtar i Shëndetit të Fëmijës dhe Zhvillimit Njerëzor (NICHD) në Amerikë më 16 Korrik 2003.
Sipas një studimi të revistës “Zhvillimi i Fëmijës”, numri Korrik/Gusht, sa më tepër kohë që kalonin fëmijët nga mosha 0-4 vjeç e gjysmë, aq më shumë të rriturit i klasifikonin ata edhe në 4 vjeç e gjysmë edhe në moshën e kopshtit si të prirur për sjellje jo të mira me të tjerët, kokëfortë, të pabindur dhe agresivë. Sipas këtij studimi, ndjeshmëria e nënës ndaj fëmijës ishte një tregues më pozitiv tek sjelljet problematike të raportuara, se sa koha e qëndrimit në qendrat e kujdesit ditor, çka tregonte se ndjeshmëria më e madhe e nënës ndaj fëmijës lidhet me më pak probleme në sjellje. Gjithashtu, edukimi më i lartë i nënës dhe të ardhurat familjare më të mëdha parashikonin nivele më të ulëta të sjelljeve problematike tek fëmijët. (NICHD) e nisi studimin në vitin 1991. 27 studiues ndoqën zhvillimin e 1000 fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët vinin nga familje me prejardhje etnike dhe ekonomike të ndryshme. Ai u përqendrua në disa aspekte të kujdesit ditor si: cilësinë e tij, kohën e kaluar në qendrën e kujdesit ditor, kohën e kaluar në grup, dhe sa herë që nëna raportonte ndërrimin e rrethanave të kujdesit ditor. Sipas këtij studimi, lidhja midis kohës së kaluar në kujdes ditor (i çfarëdolloj forme qoftë ai) dhe problemeve në sjellje, ishte më e madhe se sa lidhja midis temperamentit të foshnjës dhe problemeve në sjellje apo depresionit amësor dhe problemeve në sjellje. Kjo lidhje midis kohës së kaluar në kujdes ditor dhe problemeve në sjellje ishte gjithashtu më e madhe tek fëmijët me kujdes ditor nëpër qendra, se sa tek ata me lloje të tjera të kujdesit ditor (me bebisiter, etj).
Lidhja midis kohës së kaluar në kujdesin ditor dhe problemeve në sjellje shfaqej në të gjitha llojet e prejardhjeve familjare dhe në të gjitha llojet dhe cilësitë e kujdesit ditor. Autorët shtonin se koha e kaluar në kujdes ditor gjatë foshnjërisë, nuk dukej të kishte një peshë edhe aq të madhe mbi sjelljen e fëmijës, se sa koha e kaluar në të pas foshnjërisë. Studiuesit gjithashtu gjetën të dhëna që tregojnë se: fëmijët, të cilët kishin një kujdes ditor me cilësi të mirë, në të cilin përkujdesësit u ofronin stimulim intelektual dhe ishin më të ngrohtë, më pozitivë dhe më të ndjeshëm ndaj sjelljes së fëmijës, kishin më pak konflikte dhe probleme të raportuara mes fëmijës dhe përkujdesësit apo edukatores, se sa fëmijët të cilët ishin vendosur në një kujdes ditor me cilësi të ulët. Studiuesit, gjithashtu, zbuluan fakte që tregonin se kujdesi ditor me cilësi të lartë nuk e eliminon lidhjen midis kohës së kaluar në kujdes ditor dhe problemeve në sjellje.
Një nga zbulimet më rëndësishëm të këtij studimi është se: parashikuesi më i mirë që tregon se sa mirë sillet një fëmijë, është një karakteristikë e nënës që studiuesit e përshkruan si ndjeshmëri, çka do të thotë, sa i përshtatet nëna kërkesave të nevojave të fëmijës. Sjelljet e një nëne të ndjeshme janë të përqendruara tek fëmija; nëna e ndjeshme është e vetëdijshme për nevojat, gjendjen shpirtërore, interesat dhe aftësitë e fëmijës. Ajo e lejon këtë vetëdije të udhëheqë marrëdhëniet e saj me fëmijën. Fëmijët e nënave më të ndjeshme janë më kompetentë në shoqëri, kanë më pak të ngjarë të përfshihen në sjellje shkatërruese dhe ka më pak të ngjarë të bien në konflikt me përkujdesësit dhe mësuesit e tyre.  
Ngjashëm, fëmijët, prindërit e të cilëve kishin të ardhura më të larta dhe ishin më të shkolluar, ishin gjithashtu më të aftë në shoqëri dhe kishin më pak të ngjarë të kishin probleme në sjellje.  
Zbulimet e raportuara më parë nga Studimi i Kujdesit të Hershëm Ditor dhe Zhvillimit të Fëmijës tregonin se sa më shumë kohë në kujdes ditor, parashikonin aq më shumë probleme në sjellje tek 2- vjeçarët; një sjellje mëmësore jo të ndjeshme dhe një marrëdhënie nënë - fëmijë më pak harmonike kur fëmijët ishin në moshën 6-36 muajsh. Po ashtu, dhe përqindje të larta të atashimit të pasigurt me nënën nëse nëna ishte relativisht e pandjeshme.     
Zhvillimi njohës
Shumica e studimeve zbulojnë se kujdesi ditor i cilësisë së lartë dhe ai tipik nuk i vonojnë fëmijët në lidhje me moshën në të cilën zhvillohen këto shprehi apo aftësinë me të cilën ato shfaqen. Në të vërtetë, zhvillimi njohës i disa fëmijëve të cilët janë pjesë e kujdesit ditor, përshpejtohet, por kujdesi ditor nuk prodhon gjithmonë dobi në aspektin njohës tek fëmija dhe, madje, edhe kur i realizon këto, efekti i tyre është i përkohshëm. Sapo fëmijët e rritur në shtëpi hyjnë në shkollë, menjëherë i arrijnë bashkëmoshatarët e tyre që kanë ndjekur kujdes ditor.
Për më tepër, shumica e studimeve sugjerojnë se përfitimet njohëse të kujdesit ditor nuk janë të përhershme. Me mbarimin e klasës së parë, fëmijët të cilët nuk kanë ndjekur kujdes ditor janë po aq të aftë sa edhe moshatarët e tyre të kopshteve. Ky nuk është një fakt për t’u habitur.  
Zhvillimi social  
Fëmijët të cilët ndjekin kujdes ditor jetojnë në një botë sociale më komplekse dhe më të ndryshueshme se sa ata të cilët qëndrojnë në shtëpi. Ky fakt i ka shtyrë studiuesit të dyshojnë se fëmijët e kujdesit ditor do të shfaqnin aftësi sociale më të mira se sa moshatarët e tyre të rritur në shtëpi. Dhe pjesërisht, ky dyshim qëndron. Fëmijët e lënë në kujdes ditor vetëm sa shfaqen haptazi më të zgjuar në mënyrën si të bashkëveprojnë me njerëzit dhe çfarë të presin prej tyre, dhe kjo duket në sofistikimin e sjelljes së tyre sociale dhe lehtësinë relative me të cilën ata u afrohen njerëzve. Por, ata kanë më shumë të ngjarë se fëmijët e rritur në shtëpi që të shfaqin sjellje të cilat shkojnë në ekstremin antisocial. Shkurtimisht, shprehitë sociale të fëmijëve të kujdesit ditor janë ndonjëherë më të përparuara se ato të fëmijëve të rritur në shtëpi, por gjithashtu, ndonjëherë edhe më pak të tilla. Studime nga studiues të tillë si: Deborah Lowe Vandell, Tiziana Aureli, Susan Holloway, Carollee Howes dhe Tiffany Field, tregojnë se: fëmijët e regjistruar në kujdes ditor kanë prirjen për të qenë më të shoqëruar dhe më bashkëpunues me moshatarët e tyre. Ata ndihen më rehat kur takojnë fëmijë apo të rritur të huaj. Gjithashtu, loja e tyre është më komplekse. Fëmijët e kujdesit ditor flasin më shumë me moshatarët e tyre dhe i fillojnë bisedat më shpesh se sa fëmijët e rritur në shtëpi. Ata gjithashtu u përgjigjen moshatarëve të tyre në mënyrë më të përshtatshme. Kujdesi ditor duket se i mëson fëmijët për rolet sociale. Ata njohin më mirë se çfarë lloj lodrash preferon secila gjini dhe dinë më shumë për rregullat në shoqëri.   
Por, ky portret i fëmijës së aftë në shoqëri nuk i përshkruan të gjithë fëmijët e lënë në kujdes ditor. Fëmijët e regjistruar në kujdes ditor të cilësisë së ulët shfaqin lojë më pak komplekse dhe nuk shkojnë mirë me moshatarët e tyre. Ata gjithashtu kanë zakone të dobëta pune dhe janë më të vështirë për t’u disiplinuar nga të dy prindërit, e po ashtu edhe nga mësuesit. 
Madje edhe kur kushtet e kujdesit ditor janë më të mira, shfaqet një tatëpjetë në sjelljen e tyre. Fëmijët të cilët kanë qenë në kujdes ditor përshkruhen shpesh si konkurrues dhe agresivë me moshatarët e tyre, në krahasim me ata të cilët janë rritur në shtëpi. Një tjetër studim zbuloi se fëmijët e regjistruar në kujdes ditor qysh në moshë të hershme kanë më shumë të ngjarë të shtyjnë, godasin, shkelmojnë, kërcënojnë, mallkojnë dhe të zihen me fëmijët e tjerë. Këta fëmijë janë më të prirë për të qenë më të pabindur, më kërkues, më urdhërues, më të djallëzuar, më të egër, më iritues, më rebelë, më të pasjellshëm dhe pak të pajtueshëm në përgjigje të kërkesave dhe urdhrave të dhëna nga përkujdesësit e tyre. Madje edhe fëmijët me prejardhje nga klasa e mesme, të cilët ndjekin një kujdes ditor me cilësi të lartë, shfaqin sjellje të këtij lloji, ndonëse kjo është më ekstreme tek fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura ekonomike të ulëta.
Një fakt tjetër është se fëmijët nga çdo lloj prejardhje, në të gjitha llojet e kujdesit ditor në çerdhe dhe kopshte, i zë më shpesh gripi, puçrrat, të ftohurit, kolla, gastroenteriti, infeksionet e veshit, infeksionet e bajameve, hepatiti ngjitës dhe meningjiti i shtyllës kurrizore, se sa fëmijët të cilët nuk ndjekin kujdes ditor nëpër qendra. Kështu prindërit, të cilët zgjedhin një kujdes ditor të përqendruar në shtëpi, bëjnë një zgjidhje të arsyeshme për të mirën e fëmijëve të tyre.
  
Cilat janë disa nga përfundimet e arritura nga shkenca e psikologjisë së zhvillimit të fëmijës për sa i përket moshës 0-6 vjeç?
Rezultatet e kërkimit në fushën e shkencës së psikologjisë së zhvillimit tregojnë se 2/3 e rritjes multidimensionale të qenies njerëzore (fizike, intelektuale, ndjesore, gjuhësore, sociale, individualiteti, etj.) zënë vend gjatë periudhës së 6 viteve të para të jetës. Në këtë periudhë ku rritja psiko-sociale e fëmijës është shumë e shpejtë, përcaktohen njëherë e përgjithmonë vijat e trasha të karakterit, personalitetit dhe sistemit të egos, të cilat përmbajnë kodet kryesore të sjelljeve që do të shfaqen përgjatë gjithë jetës së individit.
Atëherë ngrihet pyetja: Mbi ç’bazë po ndërtojmë karakterin e fëmijëve tanë?
Në moshën kur ata kanë më shumë nevojë dhe hedhin themelet e personalitetit të tyre, ne po ia lemë të tjerëve që t’ua përcaktojnë rrugën e zhvillimit. Praktika e rritjes së fëmijëve nga çerdhet dhe kopshtet është një fenomen që u ngrit në sistemin komunist në vendet tona dhe është parë mjaft mirë se çfarë ka lënë pas. Neve si brezi i parë i muslimanëve pas ringjalljes së besimit, na del për detyrë t’i studiojmë mirë këto fakte dhe të reflektojmë. Ajo që do të lemë ne si traditë do të ndiqet edhe nga fëmijët tanë.
Si çështje të fundit do të shohim se si Dashuria e nënës shërben si një themel i domosdoshëm për ngritjen e karakterit të fëmijës dhe kristalizimin e virtyteve.

Nga Dashuria tek Virtyti
Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kam frikë se shejtani do të ketë pjesë tek fëmijët e Ummetit tim.” E pyetën: “Si mund ta shmangim këtë rrezik, o i Dërguari i All-llahut?” Ai u përgjigj: “Duke i mësuar atyre Dashurinë dhe Virtytet.”
Rezultatet e kërkimeve shkencore tregojnë se për mirëqenien psikike dhe rritjen psiko-sociale të fëmijës është një fakt i padiskutueshëm obligimi i nënës për t’i dhënë ushqim emocional që buron nga Dashuria, së bashku me ushqimin biologjik, veçanërisht gjatë periudhës 0-6 vjeç.
Ky fakt është domethënës sepse, nga njëra anë, ai reflekton varësinë absolute të realizmit të potencialit të rritjes multidimensionale të njeriut drejt elementëve metafizikë, çka do të thotë se vlerat njerëzore si dashuria, durimi, vetësakrifica, altruizmi etj., jepen vetëm nga nëna. Ky fakt tregon qartë natyrën personale dhe të patjetërsueshme (të patransferueshme) të rolit të mëmësisë.
Sistemi i egos që është zhvilluar nga një fëmijë të cilit nuk i është dhënë afeksion dhe dashuri e mjaftueshme gjatë viteve të para të jetës, do të formohet pashmangshmërisht nën ndikimin e fortë të egoizmit, e gjeneruar kjo nga “ndjenja e thellë e ankthit për të qenë i aftë të mbijetojë” dhe “me rritjen e tensionit të shkaktuar nga të qenit në një pozicion midis dëshirave të tij instiktive për të jetuar një jetë në siguri dhe fuqi, dhe situatës së tij të pashpresë në jetën e vërtetë. Duke brendësuar të tjerët nëpërmjet Dashurisë, fëmija arrin një dimension të brendshëm mbikëqyrje (të vetvetes) dhe drejt një baze të shëndoshë të karakterit, të cilës mund t’i verë fre kundër sulmeve të “egos”. Ky dimension që u ngrit drejt një pozicioni të brendshëm aktiv në një nivel me “veten” ose “egon”, me fjalë të tjera me “të huajin brenda nesh”, do të shërbejë si bazë për ngritjen e strukturës morale, e cila do të bëjë që ne lehtësisht dhe natyrshëm “të vendosim veten në vendin e të tjerëve.” Nëse fëmijës, gjatë viteve të para të jetës, nuk i jepet mundësia për të kaluar nëpër këtë proces në një mënyrë të shëndetshme, do të përballemi me një nivel të tillë të socializmit që e bën qenien njerëzore të huaj për vetveten dhe për ambientin e tij, dhe e justifikon thënien “ha njeriu njeriun”, si një pasojë e pashmangshme e natyrës së egër të egoizmit, i cili s’mund të qetësohet me diçka tjetër veçse me Dashuri.
NËNA, e cila është personi i parë i pajisur në nivelin më të lartë me cilësi të lindura për të plotësuar në mënyrën më të përshtatshme të mundshme nevojën që ka rritja e fëmijës gjatë 6-7 viteve të para të jetës, duhet të jetë e varur në një marrëdhënie ndërvarësie të vazhdueshme, intensive dhe fytyrë më fytyrë. Fakti që “personi i parë në shoqëri që funksionon si urë lidhëse midis fëmijës dhe shoqërisë është nëna”, vë në dukje funksionin e rëndësishëm të grave në fushën e etikës sociale dhe personale. Për fëmijën nëna duhet të jetë personi i cili është i pari dhe burimi më i pasur i Dashurisë, e cila shfaq Dashuri dhe afeksion të pakushtëzuar ndaj fëmijës dhe i mëson atij si të dojë të tjerët. Ky fakt, për fëmijën, tregon rëndësinë e një socializimi të ushqyer krejtësisht nga Dashuria që nga ditët e para të ardhjes së tij në jetë.
Marrëdhënia nënë-fëmijë, gjatë viteve të parë të fëmijërisë, ka avantazhe të jashtëzakonshme të cilat lehtësojnë mbjelljen e hershme të vlerave njerëzore thelbësore dhe virtyteve, e shfaqur kjo në një spektër të gjerë në sjelljen e nënës mbi strukturën etike të fëmijës. Është krejtësisht e qartë se nënat duhet ta shfrytëzojnë si duhet pozicionin e tyre strategjik të shkallës tepër të lartë, siç u përmend më lart, në themelimin e strukturës stoike të shoqërisë dhe brezave të rinj me ndërgjegjen e plotë të detyrës. Ajo duhet të forcohet me çfarëdo lloj mbështetje të mundshme, për ta ndihmuar atë t’i afrohet fëmijës me qëndrime, sjellje dhe masa edukative që i përshtaten fëmijës, duke vazhduar të shfaqë pa ndërprerje ndjenjat e saj ndërtuese si dashuria, durimi etj. Kjo mbështetje duhet t’i jepet me synimin për ta ndihmuar nënën që të ndihet mirë dhe të sillet në një mënyrë të dashur, të përzemërt dhe gjeniale, larg nga tensionet, duke e liruar atë nga çdo lloj shqetësimi, duke nisur që nga ato ekonomike e deri tek ato që lidhen me atmosferën familjare. Kjo mbështetje duhet të përfshijë “mbështetjen morale të babait”, ndihmën ekonomike për të siguruar qetësinë shpirtërore të nevojshme dhe veçanërisht mbështetjen edukative që do t’i jepet nënës në rrugë të ndryshme.
Duke patur parasysh se dy të tretat e zhvillimit intelektual të fëmijës zhvillohen gjatë 6 viteve të para të jetës, atëherë nëna duhet të merr ndihmë edukative. Ajo është faktori më i rëndësishëm në shtrimin e themelit të të menduarit të lirë, produktiv dhe krijues, në vend të imitimit. Gjithashtu, nëna duhet të merr ndihmë edukative në forcimin e kapacitetit të fëmijës për të analizuar, sintetizuar dhe izoluar në zhvillimin e tij gjuhësor dhe në mbështetjen e mekanizmit të tij intelektual që do të mbështetet mbi arsyetim, të kuptuar dhe përvetësim, në vend të memorizimit të thjeshtë.
Qëllimi i kërkimit shkencor të quajtur “Projekti i Zhvillimit të Hershëm tek Fëmija dhe Edukimi i Nënës”, i cili u nis në vitin 1982 në Universitetin e Bogaziçi, nën drejtimin e Prof. Ç. Kagitçibasi (rezultatet e të cilit u shpallën më 1991), ishte që të ndihmonte nënat të mbështesnin zhvillimin e fëmijëve të tyre duke u bërë më të ndjeshme dhe duke i kushtuar më tepër vëmendje nevojave të tyre fizike, emocionale, intelektuale dhe sociale. Rezultatet e përfituara tregonin faktin se, “për vlefshmërinë dhe suksesin e edukimit parashkollor, që kontribuon gjerësisht në zhvillimin multidimensional të fëmijës, ai duhet të edukohet nga një nënë e edukuar në ambientin e tij, pa u izoluar (larguar) nga familja. 
REFERENCA:
1. Inkubatori i Shoqërisë, Necla Koytak, Botim i shoqatës kulturore “Gruaja” 2007
2. Realiteti i Kujdesit Ditor, Gwen J. Broude, profesor i psikologjisë dhe shkencës njohëse në Vassar College (1996)
3. Kujdesi Ditor lidhet me Sjellje Agresive, Kokëfortësi dhe Kundërshtim, Shumica dërmuese e fëmijëve brenda rangut normal, Korrik 2003  Instituti Kombëtar i Shëndetit të Fëmijës dhe Zhvillimit Njerëzor    www.nichd.nih.gov
4. Bebet në Kujdes Ditor, Ellen Ruppel Shell, Gusht 1988
5. Bota e Psikikës Fëmijërore, Stanisha Nikoliq, Furkan ISM, Shkup, 2005
6. Atashimi fillon me lindjen, Dr. Aisha Hamdan

Total Pageviews

Pages